BQE, jo euforike: “Pagat dhe çmimet po rriten ngadalë, rimëkëmbja e fortë”
“Rimëkëmbja ekonominë në zonën e monedhës së përbashkët vijon të jetë e fortë”, thotë Banka Qendrore Europiane në buletinin e saj të fundit mujor.
Por nga ana tjetër, institucioni thekson se, çmimet e konsumit të mallrave dhe pagat në rajon po rriten me një ritëm të ngadaltë. Kjo, sipas bankës, sinjalizon se programi i lehtësimit sasior në shkallë të gjerë do të vijojë deri sa të nevojitet.
Me shumë gjasa, kjo do të thotë se, vendimi për të ardhmen e këtij programi do të shtyhet për muajin Tetor të këtij viti.
Rritja anemike e pagave, sipas institucionit, vjen edhe si pasojë e reformave në tregun e punës në shumë vende anëtare, që janë ende nën proces.
Sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, Banka Qendrore Europiane thekson se, diçka e tillë merr shtysë kryesisht nga kërkesa e fortë e brendshme.
Tremujori i dytë i vitit është në lojë me dy tremujorët paraardhës, thotë më tej banka.
Sa i përket projeksioneve të inflacionit, në afatgjatë, ato mbeten të pandryshuara pranë 1.8%.
Buletini mujor vjen vetëm tre ditë pas të dhënave paraprake të inflacionit në Eurozonë, që flisnin për një normë pranë 1.3%, po aq sa në muajin qershor.
Objektivi i Bankës ndërkohë fiksohet pranë por më poshtë se 2%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.