BQE mbështet tregjet europiane – Blerja e obligacioneve do të mbyllet në T3, më pas rritja e interesave!
Tregjet europiane po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, pasi Banka Qendrore Europiane konfirmoi se programi i blerjes së aseteve në tregjet dytësore do të përfundojnë në tremujorin e tretë të vitit.
Kjo do të thotë se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta edhe për disa muaj. Indeksi pan-Europian, Stoxx 600, e ka nisur ditën në rritje me 0.7%, ndërsa fitimet më të mëdha i realizon sektori i udhëtimeve, në rritje me rreth 3%. BQE e mbajti të pandryshuar politikën monetare, por konfirmoi se blerja e obligacioneve do të përfundojë në tremujorin e tretë. Në momentin që do të përfundojë blerja e bonove mund të fillojë rritja e interesave në Eurozonë.
Përsa i përket korporatave, në sesionin e kaluar kompania hungareze Wizz Air u mbyll në rritje me 8.4%, pasi publikoi rezultatet tremujore. Investitorët në Europë po monitorojnë edhe zhvillimet që kanë të bëjnë me luftimet në Ukrainë. Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, me Brentin e Londrës që është ngjitur në mbi 111 dollarë për fuçi. Investitorët u pozicionuan në kontrata afatshkurtra, pas lajmeve se Bashkimi Europian mund të fillojë ndalimin e importit të naftës ruse.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.