BQE mbi luftën tregtare – Coeure: Ka rritur kostot e huamarrjes dhe ulur çmimet e aksioneve
Anëtari i bordit të Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure, tha se shqetësimi ndaj luftës tregtare të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, ka rritur kostot e huamarrjes dhe ulur çmimin e aksioneve.
Investitorët kanë vlerësuar nëse një ngadalësim ekonomik i shkaktuar nga tensionet tregtare, mund të vonojë përfundimin e stimujve monetarë të Bankës Qendrore Europiane. Benoit Coeure tha se efektet e luftës tregtare te inflacioni mund të bëhen të dukshme vetëm në afat-gjatë, megjithatë, pritshmëritë për të, kanë vënë në vështirësi huamarrësit dhe investitorët.
“Rënia e çmimit të aksioneve pas lajmërimit për tarifa nga Shtetet e Bashkuara si dhe pasiguritë për kundërpërgjigjen e vendeve të cënuara, kanë shkaktuar deri më tani tkurrjen e kushteve financiare”, tha Coeure.
Duke përmendur një simulim të BQE, ai tha se një tarifë prej 10% për të gjithë importet dhe eksporetet e SHBA do të ngadalësonte ekonominë botërore me 1% në vitin e parë, ku Amerika do të pësonte goditjen më të madhe ndjekur nga Eurozona.
Inflacioni në zonën e valutës së përbashkët ndodhet poshtë 1.5%-shit, megjithatë, BQE pritet të reduktojë programin e blerjes së aktiveve prej 2.55 trilionë euro këtë vit dhe të rrisë normat e interesit në mes të 2019-ës.
Rënia në tregjet e kapitalit dhe të dhënat e dobëta mbi ekonominë, përfshirë sondazhet drejt bizneseve, kanë bërë që disa investitorë të dyshojnë te institucioni në Frankfurt. Coeure tha se lufta tregtare që pritet nga investitorët mund të dëmtojë rritjen ekonomike dhe punësimin, që janë dy nxitësit kryesorë të inflacionit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.