BQE “mposht” euron – Bie në 1.15 USD, investitorët fokusohen te normat e interesit
Valuta e përbashkët europiane ra ndjeshëm pas takimit të Bankës Qendrore Europiane ditën e enjte, ku sinjalizoi përfundimin e programit të lehtësimit sasior dhe deklaroi se normat e interesit nuk do të ndryshojnë për më shumë se 1 vit.
Nga rreth 1.1820 kundër dollarit amerikan përpara lajmërimit, euro ra në 1.1580, duke ndjekur edhe konferencën për shtyp të presidentit Mario Draghi.
Ndryshime në dyshen dollar/euro shkaktoi edhe publikimi i të dhënave mbi konsumin në SHBA, që shkaktuan blerjen e dollarit amerikan duke e fuqizuar kundrejt shportës kryesore të valutave.
Banka Qendrore Europiane deklaroi se nga muaji Shtator, ritmi i blerjes së obligacioneve do të bjerë nga 30 miliardë euro në 15 miliardë, e më pas do të zërohet në Dhjetor 2018.
Investitorët e valutës europiane u përqendruan më shumë në deklaratën e institucionit se normat kryesore të interesit do të qëndrojnë në nivelet aktual të paktën deri në verën e 2019-ës. Interesat në operacionet kryesore të rifinacnimit, facilitetit marxhinal të huadhënies dhe për depozitat, mbetën të pandryshuara në 0%, 0.25% dhe -0.4% në mënyrë respektive.
Në deklaratë, banka qendrore shtoi se normat do të qëndrojnë të ulëta deri sa të sigurohet se inflacioni të qëndrojë në nivelin objektiv në pranë 2%. Në tregun e borxhit, yieldi i titujve 10-vjeçar të Gjermanisë ra në 0.443%.
Sipas zyrtarëve të bankës, heqja e programit të stimujve do të jetë graduale dhe banka do të vazhdojë të riinvestojë në pagesat e principalit nga letrat me vlerë që maturojnë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.