BQE ndërhyn në Tetor – “Bazooka” reduktohet në 40 mld euro, shtyhet me 6 muaj
Banka Qendrore Europiane do të njoftojë zgjerimin e programit të blerjes së titujve me gjashtë muaj, në Tetor, pra në takimin e radhës. Për këtë, ekspertët janë të bindur.
Ndër të tjera, këta të fundit parashikojnë që masa e injektimit të kapitalit në sistem të zbresë në 40 miliardë euro në muaj, nga 60 miliardë euro aktualisht.
Eurozona ka hyrë në ciklin më pozitiv që prej krizës financiare globale dhe diçka e tillë ka rritur ndjeshëm presionin ndaj Bankës Qendrore Europaine që të tërhiqet nga stimujt monetarë.
Pavarësisht gjithçkaje, inflacioni nuk pritet të prekë objektivin përpara vitit 2019. Në takimin e fundit, atë të Shtatorit, banka vendosi që të mos ndërhyjë, ndërkohë që Mario Draghi foli edhe për një shqetësim të ri; forcimin e euros.
Shumë analistë argumentojnë se, është pikërisht ky shkaku që ka detyruar politikbërësit e bankës që të mos ndërhyjnë. Monedha e përbashkët europiane është rritur me plot 13% kundrejt dollarit amerikan gjatë këtij viti.
Në rast se ky trend do të vijojë, atëherë Eurozona do të ndjejë pasojat, për shkak të shtrenjtimit të eksporteve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.