BQE ndryshon komunikimin – Praet tërheq komentet e tij që sollën rënien e euros
Shefi i ekonomistëve i Bankës Qendrore Europiane , Peter Praet, ndryshoi komunikimin për politikat monetare, pasi komentet që duhen ende stimuj në Eurozonë sollën rënien e madhe të euros në nisje të Javës. Euro ra në 1.12 ditën e Martë, pasi Peter Praet tha se duhen ende stimuj të mëdhenj monetarë. Më vonë, Praet tha se komunikimi nuk përbën ndonjë gjë të re pasi institucioni gjithnjë ka thënë që për të arritur objektivin e inflacionit në afat-mesëm, duhet një sasi e mjaftueshme e lehtësimit monetar.
“Kur lajmëruam që presin përfundimin e programit të blerjes së obligacioneve në fund të këtij viti, ne thamë se kërkohet ende një mbështetje monetare”, tha Praet. Ai tha se bankat qendrore në të gjithë botën kanë nisur tkurrjen e politikave monetare. Megjithatë, ai theksoi se në Eurozonë duhen ende stimuj monetarë për të mbështetur presionet në inflacion në terma afat –mesëm.
Banka Qendrore Europiane lajmëroi më herët gjatë vitit se program i blerjes së obligacioneve do të përfundojë gjatë Dhjetorit, duke marrë parasysh se të dhënat nuk ndryshojnë. Paralelisht, banka bëri të ditur se normat e interesit nuk do të ndryshojnë të paktën deri në verën e 2019-ës. Praet tha se është ende shumë herët për të sinjalizuar rrugëtimin e normave të interesit.
Beteja mes Romës dhe Europës për buxhetin ka rritur interesat e borxhit Italian dhe ka shtuar dyshimet për efekte të përhapjes në të gjithë Eurozonën. Praet tha se çështja me Italinë është lokale dhe se nuk ka patur ndonjë efekt në pjesën tjetër të Eurozonës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.