BQE nuk ndryshon politikat- Konferenca e fundit e Draghit, përfundon mandati 8 vjeçar
Banka Qendrore Europiane i mbajti të pandryshuara normat e interesit në takimin e së enjtes, që ishte i fundit për presidentin Mario Draghi.
Gjithashtu, banka e mbajti të pandryshuar udhëzimin për të ardhmen, duke sugjeruar se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta edhe për një kohë të gjatë, derisa çmimet të shfaqin shenja të forta të rritjes.
“Të dhënat ekonomike vijojnë të sugjerojnë një rritje të moderuar, por pozitive në gjysmën e dytë të këtij viti”, deklaroi Draghi në konferencën e fundit për mediat në krye të BQE.
Ai shpjegoi se, dobësia në tregjet ndërkombëtare po ngadalëson sektorin e manifakturës në Eurozonë dhe investimet e bizneseve.
BQE parashikon se prodhimi i Brendshëm Bruto në Eurozonë do të rritet me 1.1% gjatë këtij viti dhe 1.2% në vitin 2020. Gjithashtu, inflacioni parashikohet në 1.2% gjatë këtij viti dhe 1% vitin e ardhshëm.
Për këtë arsye, institucioni i Frankfurtit njoftoi muajin e kaluar stimuj të rinj për të mbështetur ekonominë e Eurozonës.
Kjo përfshin edhe uljen e interesit për depozitat bankare, që aktualisht gjendet në nivelin më të ulët historik prej -0.5%.
Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të paguajnë interes prej 0.5% për të depozituar paratë e tyre pranë bankës Qendrore Europiane.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.