BQE nuk rrezikon, Draghi: Vazhdojmë me politikat monetare ultralehtësuese
Banka Qendrore Europiane nuk ka ndërmend të rrezikojë duke bërë eksperimente, në një kohë që Eurozona kërcënohet nga destabiliteti, si pasojë e zgjedhjeve të ardhshme në Francë, Holandë, e më vonë në Gjermani. Institucioni me bazë në Frankfurt, ashtu siç pritej, mbajti të pandryshuara normat e interesit.
Por, më e rëndësishmja, i mbetet besnik idesë për të vijuar me programin e stimujve, deri në fund të këtij viti, pavarësisht se inflacioni e ka arritur objektivin, pranë dhe më poshtë se 2%. Madje, edhe e ka tejkaluar këtë objektiv.
Banka Qendrore Europiane i ka rezistuar presionit të Berlinit për të bërë hapa prapa me programin e stimujve, madje ka bërë të kundërtën. Institucioni konfirmoi uljen e hapit të blerjes së titujve, nga 80 miliardë euro në muaj, në 60 miliardë, duke filluar prej muajit Prill. “Nëse projeksionet ose kushtet financiare do të përkeqësohen, bordi është i gatshëm të ndërhyjë duke rritur në masë dhe në kohëzgjatje programin e stimujve”-nënvizon Banka Qendrore Europiane.
Në konferencën rutinë për shtyp që pason vendimin e bordit të bankës, Mario Draghi deklaroi se, institucioni është i vendosur të vijojë me politikat ultra-lehtësuese monetare.
Ndër të tjera ai njoftoi vendimin e bankës për të rishikuar në territor pozitiv normën e inflacionit, në 1.7% gjatë këtij viti. Më parë projektohej një normë në 1.3%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.