BQE nuk surprizon – Draghi: Qëndrojmë në gatishmëri, na shqetëson kursi i këmbimit

Banka Qendrore Europiane ka mbajtur të pandryshuar normat e interesit, gjatë takimit të kësaj të Enjte. Mario Draghi ndërkohë, në konferencën tradicionale për shtyp foli për një përmirësim të projeksioneve të rritjes ekonomike, gjatë këtij viti.
Banka Qendrore Europiane rishikoi projeksionet e rritjes për këtë vit, në 2.2%, nga 1.9% që vlerësohej më parë. Për dy vitet e ardhshme, ndërkohë, projeksionet janë të pandryshuara. “Inflacioni në Eurozonë duhet të tregojë sinjale bindëse rritje”, deklaroi Mario Draghi.
Institucioni që ai drejton ka rishikuar në territor negativ projeksionet e inflacionit, për vitet e ardhshme. Sa i përket vitit aktual, ato mbeten të pandryshuara, në 1.5%. Gjatë takimit të fundit, Banka Qendrore Europiane nuk preku as masën e programit të stimujve, në 60 miliardë euro në muaj. Institucioni nuk foli për ndërhyrje, madje e mbajti derën të hapur për një rritje të sasisë së injektimit të parave në sistem.
Gjithsesi, pjesa dërrmuese e analistëve deklarojnë se, njoftimi do të vijë në muajin tetor. “Një nivel thelbësor i akomodimit monetar është ende i nevojshëm për shkak të inflacionit të nëndheshëm”, deklaroi numri një i Bankës Qendrore Europiane.
“Në rast se kushtet financiare përkeqësohen, ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë”, shtoi ai. Pas fjalës së Draghit, monedha e përbashkët europiane fitoi ndjeshëm terren ndaj dollarit amerikan, duke u ngjitur me më shumë se 1%, përtej nivelit të 1.20 dollarëve. Draghi ndër të tjera foli edhe për rrezikun që buron nga luhatshmëria e lartë në kursin e këmbimit valutor. Shumë ekspertë argumentojnë se është pikërisht forcimi i euros arsyeja se përse BQE nuk po ndërhyn.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.