BQE pret një rritje të kredisë në T3 / Parashikohet një shtrëngim i lehtë në standardet e huadhënies
Bankat e Eurozonës parashikojnë se kërkesa për kredi korporatave do të rritet në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa do të ketë edhe një shtrëngim të vogël të standardeve të kredisë apo kritereve të miratimit të kredisë. Sipas një raporti të Bankës Qendrore Europiane, standardet e kredi dhënies ishin të qëndrueshme në tremujorin e dytë, pas një shtrëngimi të konsiderueshëm gjatë vitit të kaluar. Përsa i përket kërkesës, të dhënat sugjerojnë se firmat kanë më shumë vullnet për të investuar. “Për herë të parë që nga tremujori i tretë i vitit 2019, nevojat e firmave për financim për investime fiske kontribuan pozitivisht në kërkesën për kredi”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore Europiane. Sondazhet për huadhënien janë kyçe për vendimet e BQE mbi politikat monetare, por takimi i së enjtes me shumë gjasa do të përqëndrohet në përpjekjet e bankës për të stimuluar ekonominë, për t’ju përshtatur më mirë strategjisë së re. Më herët gjatë këtij muaji, BQE vendosi të ndryshojë objektivin e inflacionit dhe të lejojë që çmimet e konsumit të rriten më shumë, kur gjykohet e nevojshme. Deri më tani, Banka Qendrore punonte për të arritur një inflacion “poshtë, por pranë 2%, por në takimin e 22 korrikut bisedimet do të bazohen mbi një inflacion prej 2%, me mundësitë për tu rritur edhe më tej. Ndërkohë, për kreditë hipotekore, standardet e huadhënies parashikohet të jenë të qëndrueshme, ndërsa pritet një kërkesë më e lartë për kredi nga firmat dhe familjet.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.