BQE promovon Renminbin – Konverton rezerva në valutën kineze, fuqizon rolin ndërkombëtar

Banka Qendrore Europiane lajmëroi se do të konvertojë ekuivalentin e 500 milionë eurove rezerva në valutë të huaj, nga dollari amerikan në valutën kineze. Ekspertët thonë se kjo lëvizje favorizon ndërkombëtarizimin e Renminbit kinez.
Analistët e Standard Chartered thonë se ky është një hap i rëndësishëm për Bankën Qendrore Europiane për të fuqizuar rolin Renminbit si një valutë globale. Rezervat me vlerë 500 milionë euro në Renminbi përbëjnë investimin më të madh të Bankës Qendrore Europiane në valutën kineze, që prej përfshirjes në Shportën e të Drejtave Speciale të Tërheqjes në vitin 2016.
Analistët mendojnë se valuta kineze do të ketë një shtrirje më të gjerë në rezervat ndërkombëtare në valutë. Analistët e Bankës Industriale dhe Tregtare të Kinës (ICBC) thonë se në një periudhë 2-vjeçare, Renminbi ka potencialin për të prekur 2% të rezervave globale në valutë, një përmasë e ngjashme me atë të dollarit kanadez apo australian.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, valuta kineze përbënte për 1.07% të të gjithë rezervave zyrtare në valutë të raportuara në tremujorin e katërt 2016, duke prekur një vlerë prej 84.5 miliardë dollarë amerikanë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.