BQE radhit rreziqet – Stabiliteti financiar kërcënohet nga SHBA, FED dhe bankat
Rreziqet në stabilitetin financiar të zonës së monedhës së përbashkët mbeten të përmbajtura, por janë prezente dhe madje edhe janë rritur në disa zona gjatë 6 muajve të shkuar, deklaroi Banka Qendrore Europiane në raportin e fundit periodik të stabilitetit.
Shqetësimet që lidhen me qëndrueshmërinë e borxhit janë rritur, ndërkohë që pastrimi i sektorit bankar po vijon me ritme të ngadalta, thotë banka, duke shtuar se, ndryshimi i papritur në tregun e bonove është domethënës dhe mund të çojë në humbje madhore kapitale.
Këto paralajmërime vijnë në një kohë që Eurozona po shijon vrullin më të madh të ekonomisë në një dekadë, duke rritur edhe pritshmëritë se, Banka Qendrore Europiane shumë shpejt duhet të sprapset nga programi i stimujve dhe lehtësimi sasior në shkallë të gjerë.
Gjithsesi, institucioni me bazë në Frankfurt, nënvizon se, rreziqet më të mëdha nuk lidhen me Eurozonën por me situatën globale, e veçanërisht me turbullirat që mund të gjenerojnë tregjet e kapitalit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rritja e parakohshme e normave të interesit nga Rezerva Federale ndërkohë, shihet gjithashtu si një rrezik kyç për Eurozonën.
Sa i përket situatës së brendshme, pastrimi i bilanceve të bankave shihet si shqetësimi kryesor, dhe ky proces deri më tani vlerësohet si mjaft i ngadaltë. Për BQE-në, Brexit nuk është aspak një ndër shqetësimet kryesore për stabilitetin financiar të rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.