BQE shton “municionet” kundër pandemisë – Rrit programin e blerjes së obligacioneve në 1.35 trilionë euro
Banka Qendrore Europiane lajmëroi këtë Javë se do të rrisë financimin nëpërmjet Programit të Blerjeve Emergjencë të Pandemisë (PEPP) me 600 miliardë euro, në përpjekje për të nxitur ekonominë e rajonit pas krizës ë koronavirusit. Shifra e lajmëruar vjen shtesë nga 750 miliardë euro blerje të obligacioneve qeveritare që institucioni lajmëroi në muajin Mars, ç’ka e çon totalin në 1.35 trilionë euro.
Banka Qendrore shtoi se kohëzgjatja e programit të blerjes së titujve të borxhit në kohë krize do të zgjatet nga fundi i 2020-s deri në Qershor 2021. Programi emergjencë ka ndihmuar duke mbajtur kostot e huamarrjes në nivele të ulëta për vendet e Eurozonës. Banka Qendrore Europiane ka ndërmarrë gjithashtu masa për të nxitur huadhënien bankare. Institucioni la të pandryshuar normën e interesit për depozitat në -0.5%. Vendimi i fundit vjen pas publikimit të përmasës së goditjes nga koronavirusi në Europë.
Norma e papunësisë në Eurozonë u rrit në 7.3% në muajin Prill, ndërkohë që masat e karantinës kanë goditur tregun e punës. Aktiviteti i biznesit në rajon është rimëkëmbur lehtë, pasi ra në nivele rekord të ulëta më herët gjatë vitit. Aktivitetet e manifakturës dhe shërbimeve arritën nivelin më të lartë në 3 muaj gjatë Majit, pasi disa ekonomi nisën rihapjen. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime mbi performancën e përgjithshme ekonomike në tremujorin e dytë 2020. Banka Qendrore Europiane ka paralajmëruar se ekonomia e Eurozonës mund të tkurret me rreth 15% në skenarin më negativ, si pasojë e krizës së koronavirusit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.