BQE sqaron çudinë – Tregjet keqinterpretuan fjalën e Draghit, i pakuptimtë reagimi

Dy ditë më parë, Mario Draghi deklaroi se, Eurozonës i duhen ende stimujt monetarë, dhe se Banka Qendrore Europiane do të lëvizë me kujdes dhe gradualisht drejt normalizimit të politikave monetare.
Por, në mënyrë të çuditshme, tregjet e përkthyen krejt ndryshe këtë deklaratë, dhe monedha e përbashkët europiane, filloi një marshim, që ende sot nuk është ndalur, duke kapërcyer edhe nivelin e 1.14 dollarëve amerikanë.
Reagimi i tregjeve ishte i atillë sikur Draghi të kishte deklaruar se shumë shpejt do të fillonte shtrëngimi i politikave monetare. Për këtë arsye, zëvendës Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Vitor Constancio dhe një sërë anëtarësh të tjerë të bordit e kanë parë me vend që të ndërhyjnë.
Sipas tyre, fjalët e Draghit janë keqinterpretuar nga tregjet dhe investitorët. Sipas numrit dy të bankës qendrore europiane, ky reagim i tregjeve është i vështirë për t`u kuptuar.
Investitorët kanë reaguar vetëm ndaj fjalisë së Draghit që fliste për përmirësim të kushteve ekonomike dhe zhdukje të forcave deflacioniste. Ndërkohë, i gjithë fjalimi i tij ishte në linjë me politikën e ndjekur deri më tani nga Banka Qendrore Europiane.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.