BQE studion terrenin – Simulon skenarë për të parë ndjeshmërinë ndaj interesave
Banka Qendrore Europiane deklaroi se do të testojë bankat e eurozonës mbi përballueshmërinë e ndryshmeve të forta të normave të interesit, duke simuluar skenarë si tkurrja e shpejtë monetare e deri te frenimi i huadhënies.
Normat e ulëta apo negative të interesit të Bankës Qendrore Europiane që janë vendosur që prej fillimit të krizës financiare kanë dëmtuar marzhet e fitimit të bankave dhe kanë bërë që huadhënësit të marrin më shumë rrezik për kthime më të vogla. Kjo ka shtuar shqetësimet mbi mënyrën se si sektori do të përballojë përfundimin e stimujve. BQE ka bërë të ditur se do të mbajë normat e interesit në nivelet aktualë për një kohë të gjatë.
Megjithatë, objektivi për mbajtjen e normave të interesit në këtë nivel është arritur, pasi inflacioni është rritur, gjë që ka shtuar thirrjet për nisjen e një cikli shtrëngues. Nën “stress-testin” e ri të lajmëruar këtë javë, BQE kërkon të dijë sa kapital do ti mbetet bankave nëse normat e interesit rriten apo bien papritur, si dhe mbi performancën e tyre në 3 vite nën skenarë të ndryshëm.
Simulimet që institucioni kërkon të ndërmarrë janë; një rikthim në situatën e falimentimit të Lehman Brothers 2008, ku normat afat-gjata të interesit ranë poshtë atyre afat-shkurtra.
Banka Qendrore do të dijë edhe mbi mënyrën se si do të reagojnë huadhënësit, me kthimin e normave të interesit në nivelin ku ishin përpara krizës së eurozonës në 2010-ën. “Ky ushtrim është projektuar që të na ofrojë informacion për të kuptuar ndjeshmërinë e bankave ndaj normave të interesit”, thekson BQE.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.