BQE te sufiçiti i Gjermanisë – Rritja e normave të interesit do ulte automatikisht eksportet neto
Qeveria gjermane gjykon se një rritje e normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane do të reduktonte sufiçitin tregtar, raportojnë mediat në vend.
Gazeta Funke Mediengruppe, citoi një raport të përgatitur nga Ministra e Ekonomisë dhe e Financave, të cilën Wolfgang Schaeuble planifikon ta prezantojë në takimin gjatë javës të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Schaeuble është kritik i vjetër i politikës me norma negative të interesit të Bankës Qendrore Europiane.
Studimi tregon se tkurrja e politikave monetare do të ishte në linjë me rimëkëmbjen ekonomike në Europë dhe do të reduktonte sufiçitin e llogarisë korrente të Gjermansë, që vjen edhe prej euros së zhvlerësuar.
“Rritja ekonomike në Eurozonë dhe zhvillimet në nivelin e çmimeve mund të nxisin BQE që të nisë normalizimin e politikave monetare. Një euro më e fortë do të ulte automatikisht sufiçitin tregtar”, shkruhet në studim.
Sufiçiti i llogarisë korrente i Gjermanisë është bërë shënjestër nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Sipas zyrtarëve në vend, presionet për ta ulur sufiçitin do të rriten më tej në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Megjithatë, qeveria gjermane gjykon ende se eksportet neto vijnë kryesisht prej cilësisë së produkteve gjermane dhe prej vendimeve të konsumatorëve privatë e kompanive.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.