Brenda grabitjes prej 128 milionë dollarëve që tronditi botën…dhe ndjekjes së policisë që pasoi!
U deshën të paktën nëntë goditje të forta nga një sëpatë për të thyer kutinë e xhamit në Kasafortën e Gjelbër historike të Dresdenit. Pasi xhami u thye, dy hajdutët e maskuar rrëmbyen 21 objekte të çmuara të mbushura me diamante dhe u zhdukën.
Ishte 25 nëntor 2019 dhe në harkun e pak minutave ishin zhdukur disa nga xhevahiret historike më të vlefshme në botë.
Tani, gjashtë burrat e akuzuar për kryerjen e një prej vjedhjeve më të mëdha të bizhuterive në histori po përgatiten të dalin në gjyq në Gjermani duke filluar nga e premtja, 28 janar. Por misteri i asaj që ndodhi me thesaret që ata dyshohet se i kishin vjedhur vazhdon.
Kjo është historia e një grabitjeje që mahniti botën — dhe punës së përpiktë të policisë që çoi në kapjen e gjashtë anëtarëve të bandës familjare që policia thotë se besohet se është përgjegjëse për të.
Të stolisur me më shumë se 4,300 diamante, thesaret e vjedhura nga Green Vault kishin vlerë të paktën 113 milionë euro (128 milionë dollarë), sipas zyrës së prokurorit të shtetit. Megjithatë, drejtori i Koleksionit Shtetëror të Arteve të Dresdenit, Marion Ackermann, tha se vlera e tyre materiale as që fillon të pasqyrojë rëndësinë e tyre historike dhe kulturore “të pallogaritshme”.
Pothuajse të gjitha artefaktet e vjedhura u bënë gjatë sundimit të Frederick Augustus III, Zgjedhësi i fundit i Saksonisë, i cili më vonë u njoh si Frederick Augustus I, mbreti i parë i Saksonisë.
Ato përfshinin një kapëse të viteve 1780 të zbukuruar me 15 diamante të mëdhenj dhe më shumë se 100 të vegjël, si dhe një shpatë 96 centimetra dhe një këllëf, të cilat së bashku përmbanin më shumë se 800 diamante.
Por nuk ishte vetëm vlera e pamasë e plaçkës që tërhoqi vëmendjen e botës, por ishte ‘paturpësia’ me të cilën supozohet se u krye bastisja. Roy Ramm, një konsulent sigurie dhe ish-komandant i operacioneve të specializuara në New Scotland Yard në Londër, tha se këto lloj krimesh janë gjithnjë e më të rralla.
Green Vault qëndroi i mbyllur për vizitorët për muaj të tërë, për shkak të hetimit dhe më vonë pandemisë së koronavirusit. Kur u rihap në maj 2020, kabineti i vjedhur u riparua, por u la qëllimisht bosh. Gjyqi është planifikuar të zgjasë të paktën deri në fund të tetorit. Nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit përballen me dënime të mundshme me disa vite burg. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.