“Brexit, BE, SHBA” – Meta flet për rolin e Shqipërisë për stabilitet e siguri në rajon

Sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe bashkëpunimi ekonomik me vendet e rajonit ishin në fokus të takimeve që kryeparlamentari Ilir Meta pati gjatë vizitës së tij në Austri.
Në konferencën me temë “Brexit, BE, SHBA dhe roli i Shqipërisë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, Meta foli edhe për procesin e Berlinit, duke theksuar se kjo nismë ka hapur rrugën e bashkëpunimit në rajon, kryesisht në aspektin e zhvillimit infrastrukturor dhe ekonomik.
“Konkretisht, kjo do të thotë që dera e integrimit të mbetet e hapur dhe BE-ja të mbetet konkretisht dhe në mënyrë aktive e angazhuar me secilin prej vendeve tona dhe me të gjithë rajonin politikisht dhe ekonomikisht. Nisma e Procesit të Berlinit, e nisur në vitin 2014 në Berlin dhe që vazhdoi në vitin 2015 në Vjenë, si një nismë e shkëlqyer e bashkëpunimit ndërqeveritar, jo vetëm ka rigjallëruar lidhjet mes rajonit tonë dhe një sërë vendesh anëtare të BE-së, por dhe i ka hapur rrugën një platforme të mirë ndërlidhjeje rajonale, sidomos në aspektin e zhvillimit infrastrukturor dhe ekonomik”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Meta dha edhe një mesazh për Bashkimin Europian për mënyrën se si duhet parë bashkëpunimi me këtë rajon.
“Megjithatë, duke qenë se këto sfida testojnë solidaritetin dhe koherencën europiane, BE-ja nuk duhet ta shohë Ballkanin si një lagje – por duhet ta shohë si një rajon të integruar jugor – duke vepruar si një familje më e koordinuar dhe më të përgatitur për zhvillimet e ardhshme potencialisht destabilizuese, të përmasave shumë të mëdha njerëzore. Ne jemi me fat që Austria, e cila e njeh shumë mirë nga brenda këtë rajon, i kupton tërësisht përfitimet pozitive të një axhende europiane në rajonin tonë”, deklaroi Meta.
Kryetari i Kuvendit foli edhe për Kosovën, duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë.
Florenc Drizari/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.