Brexit dëmton investimet – Sondazhi, paundi i dobët ka nxitur eksportuesit

Fabrikat britanike kanë patur porositë më të larta në thuajse 6 vite për tremujorin e parë 2017, nxitur nga rënia e sterlinës. Megjithatë, sipas sondazheve të Konfederatës së Industrisë Britanike, planet për investime janë shkurtuar.
Prodhuesit britanikë kanë patur rritjen rekord në konkurrueshmërinë me vendet jo anëtare të Bashkimit Europian në tremujorin e parë. Porositë industriale brenda Mbretërisë së Bashkuar kanë qenë të larta gjithashtu.
Nga ana tjetër, sterlina e dobët ka rritur çmimet dhe kostot për njësi kanë patur rritjen më të madhe në 6 vite. Konfederata e Industrisë në Britani bëri të ditur se kompanitë kanë raportuar planet më të dobëta për investimet në pajisje dhe makineri që prej viti 2011.
Ekonomia e pestë më e madhe në botë pritet të humbasë vrull këtë vit ndërkohë që inflacioni i lartë redukton fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe rrit çmimet për bizneset.
Banka e Anglisë ka paralajmëruar muajin e kaluar se situata aktuale nuk ka gjasa të zgjasë për shkak se negociatat e Brexit do të heqin aksesin në tregun e Bashkimit Europian.
Sondazhi i Konfederatës së Industrisë Britanike është ndërmarrë përpara se Kryeministrja Theresa May të lajmëronte planin për zgjedhje të parakohshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.