Brexit diskutohet në PE – Tajani dhe Juncker: Të mbrojmë interesat e qytetarëve europianë

Në Parlamentin Europian është diskutuar sot për kushtet e marrëveshjes për Brexit. Kryetarët e grupeve politike në parlament diskutuan për pikëpamjet e tyre në mënyrën se si duhet trajtuar kjo sfidë e dy viteve të ardhshme.
Debati në parlament u fokusua në nevojën për mbrojtjen e shtetasve europianë të cilët preken drejtpërdrejt nga ky largim. Presidenti i PE, Antonio Tajani hapi debatin duke iu drejtuar eurodeputetëve mbi rolin që do të ketë ky parlament gjatë negociatave.
“Detyra jonë kryesore do të jetë të mbrojmë interesat e qytetarëve europianë. Vota juaj do të jetë vendimtare për rezultatin final të kushteve të tërheqjes së Britanisë nga unioni dhe për të ardhmen e marrëdhënieve BE-BM. Sulmet e fundit terroriste e kanë bërë të qartë se të gjitha shtetet europiane do të kenë nevojë të punojnë së bashku”, u shpreh Tajani.
Në të njëjtën linjë, ishte edhe Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.
“Ajo që rrezikohet këtu nuk janë vetëm disa traktate apo disa marrëveshje, nuk është thjesht ping pong diplomatik, por flasim për jetët e miliona njerëzve. Miliona kanë familjet apo lidhje profesionale me Britaninë. Ata kanë marrë vendime jetësore mbi bazën e premtimit të BE. Ata kanë ngritur një jetë, të cilën presin ta vazhdojnë”, tha Juncker.
Shumica e liderëve të grupeve politike theksuan se Brexit duhet të shërbejë si një nxitës për rinovimin e BE-së në mënyrën se si shtetet janë të ndërlidhura me njëra-tjetërën.
Ndërkohë dy grupe politike, një prej të cilëve i kryesuar nga Nigel Farage, aktivist për fushatën e Brexit, akuzuan Bashkimin Europian se kërkon të ndëshkojë Britaninë e Madhe.
Në fund parlamenti kaloi me mbi 2/3 e votave një rezolutë që përmban këto pika kryesore:
- Qytetarët të parët
- Transparencë dhe mirëbesim në negociata
- Vazhdimësia e detyrimeve (Britania do të ketë detyrat e një vendi anëtar deri në fund)
- PE të jetë i përfshirë ngushtë në proces
- Debat plenar për Brexit para votës finale
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.