Brexit, fillon raundi i pare – Katër ditë bisedime në Bruksel mes emisarëve

Emisarët e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian kanë nisur këtë të Hënë raundin e parë të bisedimeve dhe negociatave për procesin e divorcit mes palëve.
Liderët europianë janë të angazhuar maksimalisht që të minimizojnë impaktin ekonomik dhe social në union pas daljes së Britanisë, duke qenë se do të largohet ekonomia e dytë më e madhe pas katër dekadash bashkëpunimi të ngushtë.
Negociatori europian, Michel Barnier ka për detyrë të ushtrojë presion ndaj homologut të tij, David Davis, në mënyrë që Mbretëria të respektojë angazhimet financiare që ka karshi unionit.
Gjatë javës së kaluar, Britania për herë të parë pranoi zyrtarisht se, Brexit do të vijë me kosto monetare. Sipas mediave, fatura e Brexit mund të shkojë deri në 100 miliardë euro.
Raundi i parë i bisedimeve që filloi në Burskel këtë të Hënë, do të zgjasë plot 4 ditë dhe bisedimet do të jenë mjaft intensive.
“Tani ka ardhur koha që t`i futemi punës dhe të bëjmë disa negociata të suksesshme”, deklaroi emisari britanik. Palët deklaruan se, mediat dhe opinioni publik do të informohen për rezultatin e negociatave ditën e Enjte.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.