Brexit i afron afati – May synon ndryshime që do të ruajnë rregullat e BE për më gjatë
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May po harton një plan për të zgjatur rregullat kryesore të Bashkimit Europian pas Brexit, në mënyrë që t’i japë vrull negociatave. Kjo lëvizje rrezikon irritimin e euroskeptikëve në partinë e saj konservatore.
Sipas burimeve me njohuri për çështjen, Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të gjejë opsione që të shmang çështjen e kufirit me Irlandën, që është kthyer në një nga pengesat më të mëdha në divorcin me Europën.
Sipas burimeve, një prej alternativave do të zgjaste fazën e tranzicionit, që është periudha 2-vjeçare që nis në 29 Mars të vitit të ardhshëm deri në fund të vitit 2020. Negociatorët britanikë, në përpjekje për të arritur në një marrëveshje mbi kufirin me Irlandën, kanë propozuar një marrëveshje të përkohshme doganore, nën të cilën Mbretëria e Bashkuar do të ruajë regjimin e tarifave të BE deri në fund të vitit 2021.
Tashmë, zyrtarët e May po ndërtojnë propozime për të ruajtur rregulloret e tregut të përbashkët europian, gjë që do të sigurojë lehtësinë e flukseve tregtare.
Kryeministres May po i mbaron afati për të arritur një marrëveshje të divorcit me Bashkimin Europian, ku Britania ka qenë pjesë për 45 vite. Në lidhje me kufirin me Irlandën ka patur shumë pak progres që prej Dhjetorit dhe në javët e fundit politikanët kanë paralajmëruar se negociatat do të dështojnë.
Të dyja palët po nisin parapërgatitjet për rastin më të keq. Bisedimet do të nisin më datë 16 Gusht, në përpjekje për të bërë progres përpara Tetorit, që është afati i vetëcaktuar për të arritur marrëveshjen e përgjithshme.
Negociatori kryesor i BE, Michel Barnier, ka thënë se është i hapur ndaj propozimeve të reja mbi çështjen e Irlandës, por ideja e fundit e Britanisë mund të rrisë shqetësimet në Bruksel. Të dyja palët kanë rënë dakord se duhet të ekzistojë një garanci, apo një masë parandaluese, për t’u siguruar se nuk do të ashpërsohen kufijtë në Irlandë pas Brexit.
Megjithatë, Britania i ka refuzuar propozimet e Bashkimit Europian. Plani i Britanisë është që të marrëveshja tregtare që do të nënshkruhet me Europën, të krijojë lidhje të ngushta në mënyrë që kjo garanci të mos nevojitet.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.