Brexit kalon në fazën e dytë – BE përgëzon progresin, bisedimet do të zhvendosen te tregtia

Bashkimi Europian ra dakord të bëjë progres me bisedimet për Brexit, duke i çuar bisedat te tregtia, megjithatë liderët e disa vendeve anëtare paralajmëruan se viti i fundit i negociatave për divorcin do të ketë shumë vështirësi.
Liderët e Bashkimit Europian përgëzuan kryeministren Theresa May dhe pranuan progresin e mjaftueshëm në bisedat për divorcin gjatë javës së kaluar, duke i dhënë negociatorëve urdhrin për të kaluar në fazën kryesore të bisedimeve.
“Është një hap i rëndësishëm drejt arritjes së një marrëveshjeje të rregullt për Brexit, për të cilën njerëzit votuan në Qershor të vitit të kaluar”, tha Theresa May. Ajo tha se qeveria e saj po i vërteton të kundërtën atyre që kanë patur dyshime dhe se planet për ndarjen nuk do të përkeqësohen nga përkrahësit e fushatës anti-Brexit.
Presidenti i Këshillit, Donald Tusk tha se Bashkimi Europian do të nisë “kontakte eksploruese” me Britaninë për të vlerësuar kërkesat mbi marrëdhënien e ardhshme tregtare, si dhe nisjen e bisedimeve mbi periudhën e tranzicionit pas Brexit. Kjo periudhë është thelbësore për investitorët dhe bizneset, që shqetësohen se ndarja e ashpër do të ndërpresë flukset tregtare dhe do të sjellë kaos në tregjet financiarë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.