Brexit, May jep kohën ekzakte – 29 Mars 2019 ora 23, hartuesi i nenit 50 flet për kthimin mbrapsht
Theresa May ka bërë të ditur planet për kohën ekzakte të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, duke paralajmëruar se nuk do të tolerojë asnjë përpjekje për të ndaluar Brexit. Qeveria paraqiti një amendament që përcakton daljen e Britanisë në orën 11 të mbrëmjes në datën 29 Mars 2019.
Në një shkrim për të përditshmen “The Telegraph”, kryeministrja paralajmëroi gjithashtu deputetët që të mos përdorin këtë fragment të projektit të daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian në parlament, për të “ngadalësuar apo ndaluar” Brexit. “Do të jetë në faqen e parë të këtij legjislacioni historik: Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Europian më 29 Mars 2019, në orën 23”, shkruan Theresa May.
Nga ana tjetër, hartuesi i nenit 50 të traktatit të Lisboinës, John Kerr, tha se Kryeministrja nuk duhet të çorientojë votuesit, si dhe të pranojë se Brexit mund të shmanget nëse Britania vendos të ndalojë bisedimet mbi divorcin.
Nëpërmjet këtij fjalimi në një event mediatik në Londër, John Kerr, ambasadori i Britanisë në Bashkimin Europian në periudhën 1990-1995, bëri të ditur se vendi mund të ndryshojë vendimin për daljen dhe se votuesit janë mashtruar nëse i është thënë e kundërta. Në referendumin e Qershorit 2016, 51.9% e votuesve mbështetën daljen nga Bashkimi Europian, ndërsa 48.1% kërkonin të qëndronin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.