Brexit me një “ide të re”: Marrëveshje tregtare midis Britanisë dhe Australisë
Një marrëveshje mund të ndihmojë të dyja vendet të qëndrojnë përpara vendeve si Kina, Irani dhe Rusia, thotë komisari i lartë i Australisë. Britania dhe Australia kanë nevojë për njëra-tjetrën më shumë se kurrë në këtë kohë të tensionit global, tha komisari i lartë Australian gjatë bisedimeve.
Mbretëria e Madhe gjithashtu fillon të mërkurën negociatat tregtare me Zelandën e Re, një epokë e re për diplomacinë jashtë rrethit të Europës.
Por marrëveshja është më shumë sesa një mundësi biznesi.
Bëhet fjalë gjithashtu për të ndihmuar njëri-tjetrin të qëndrojmë drejt vlerave të përbashkëta si demokracia dhe sundimi i ligjit përballë sfidave nga fuqitë në rritje si Kina, tha diplomati i lartë.
Kryeministri Australian Scott Morrison duhej të kishte udhëtuar drejt Mbretërisë së Madhe për të takuar Boris Johnson për të filluar bisedimet tregtare. Por për shkak të pandemisë takimi u realizua përmes video-konferencës.
Një pjesë e rëndësishme e planit së Mbretërisë së Madhe pas Brexit do të fokusohet në rritjen e eksporteve në rajonin Indo-Paqësorit. Liz Truss, sekretarja e tregtisë ndërkombëtare, tha se bizneset në Mbretërinë e Bashkuar tregtuan 29 miliardë paund mallra dhe shërbime me Australinë dhe Zelandën e Re vitin e kaluar.
“Drejtimi drejt Azisë do të sigurojë që Mbretëria e Madhe të jetë më pak e ndjeshme ndaj goditjeve politike dhe ekonomike në pjesë të caktuara të botës,” tha ajo.
Ky bashkëpunim do të shërbejë për zvogëlimin e ndikimit ekonomik nga vende si Kina. Mbretëria e Madhe gjithashtu ka ndjerë presion nga Kina pasi ka folur kundër planeve kineze për të imponuar një ligj të ri të sigurisë në Hong Kong.
Z. Brandis tha që Britania dhe Australia qëndrojnë së bashku në këto çështje, ndërsa shtoi se marrëdhënia e vendit të tij me Pekinin tregon se është e mundur të tregtosh me Kinën dhe të mos pajtohesh. “Kina është partneri më i madh tregtar i Australisë. Ai përfaqëson 40% të tregtisë sonë. Ne kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kinën,” tha ai.
“Avantazhet e bashkëpunimit janë të mëdha pasi Australia dhe Mbretëria e Madhe kanë sisteme ligjore të ngjashme, vlerat, interesat janë të ngjashëm, ne flasim të njëjtën gjuhë’’, shton Brandis.
Mbretëria e Madhe gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në një grup tregtar të Paqësorit, që përfshin Australinë, të quajtur Marrëveshja Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin Trans-Paqësor (CPTPP).
D.B – SCAN
Burimi: Sky News
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.