Brexit në dorë të May – Kryeministrja fiton të drejtën për të nisur “divorcin”

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, ka fituar të drejtën për të nisur procedurat e “divorcit” me Bashkimin Europian, gjë që do të zgjasë dy vite dhe do të formojë të ardhmen e Britanisë dhe Europës.
Të dy dhomat në parlament kanë mbështetur planin e Brexit dhe pas miratimit simbolik nga Mbretëresha, Theresa May fiton të drejtën për të nisur negociatat më komplekse të Britanisë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, Kryeministrja nuk është përgjigjur ende se kur do të nisë saktësisht procesi i ndarjes, që do të përfundojë 9 muaj paqartësi.
“Jemi tashmë në prag të negociatave më të rëndësishme në një gjeneratë. Kemi në plan për të ndërtuar një Britani globale dhe do të përfitojmë nga ky pozicion i ri për të krijuar lidhje të reja tregtare”, tha ministri për Brexit, David Davis pas miratimit nga Dhoma e Ulët e Parlamentit ditën e djeshme.
Megjithatë, një çështje tjetër i është shtuar nisjes së negociatave, ndërkohë që liderja e partisë nacionale të Skocisë, Nicola Sturgeon, kërkoi një referendum të ri mbi pavarësinë në fund të vitit 2018, pasi kushtet për Brexit të qartësohen.
Zëdhënësi i Theresa May përsëriti se bisedimet do të nisin në fund të muajit Mars. Paundi ra kundër shportës kryesore të valutave, ndërkohë që tregtarët filluan ta shesin. Sterlina preku 1.2120 dollarë në sesionin tregtar të ditës së martë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.