Brexit pa marrëveshje – Franca njofton planin e saj, 50 mln euro investime për portet e aeroportet
Franca ka njoftuar planin e saj të paparashikuar i cili përfshin 50 milionë euro investime për portet e aeroportet e vendit.
Përmes një konference shtypi, kryeministri Edouard Philippe, ka deklaruar se plani parashikon të ndihmojë portet dhe aeroportet të përballen me tarifat e reja në rast se Britania e Madhe largohet nga Bashkimi Europian më 29 mars pa një marrëveshje.
“Ajo që është e sigurtë, është se skenari i një Brexit pa marrëveshje do të ndodhë me shumë gjasa. Kjo është edhe arsyeja pse kam vendos të nxis planet për një Brexit pa marrëveshje. Planet janë gati. Çdo port, secili aeroport u ngarkua me përcaktimin e natyrës së punës së nevojshme për të përshtatur masat e tyre ndaj këtyre sfidave të reja”, tha ai.
Franca siguron një treg për rreth 6% të të gjitha eksporteve britanike në mallra dhe shërbime, ndërsa gati 7% e importeve të Mbretërisë së Bashkuar vijnë nga Franca. Tregtia e përgjithshme midis dy palëve është më e madhe se 70 miliardë paund çdo vit.
Por këto lidhje të ngushta tregtare rrezikojnë të prishen kur Britania e Madhe të largohet nga BE-ja pa një marrëveshje divorci. Ky veprim mund të çojë në kontrolle dhe tarifa të reja doganore.
Ndërkohë, Philippe ka shtuar më tej se qeveria franceze gjithashtu do të zbulojë në shkurt edhe planet e saj për sektorin e peshkimit, për t’iu ardhur në ndihmë peshkatarëve.
“Ne duam të mbrojmë interesat e peshkatarëve francezë, të mbrojmë interesat e zonave të peshkimit dhe kompanitë që marrin pjesë në këtë sektor të rëndësishëm ekonomik”, deklaroi ai.
Përpjekja dyvjeçare e kryeministres Theresa May për të krijuar një ‘divorc’ miqësor me BE u shkatërrua nga parlamenti britanik të martën. Ndërkohë, pritet të kthehet në parlament të hënën me një ‘Plan B’.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.