Brexit, Skocia bën gati referendumin e ri për pavarësi

Kryeministrja e Skocisë, Nicola Sturgeon tha se javën që vjen do të kërkojë një referendum të ri pavarësie për vendin e saj.
Sipas Sturgeon është e qartë se Britania e Madhe është drejt një largimi të vështirë nga BE, në dëm të Skocisë dhe skocezët kanë të drejtën e zgjedhjes nëse duan të qëndrojnë në këtë union si një shtet i pavarur.
Skocia votoi 62% me 38% në favor të qëndrimit në Bashkimin Europian, gjatë referendumit të Brexit.
“Unë po sigurohem që e ardhmja e Skocisë të vendoset nga populli i Skocisë”, tha ajo në konferencën për shtyp në Edinburgh.
“Do të jetë zgjedhja e Skocisë dhe unë ia besoj popullit skocez ta bëjë këtë zgjedhje”, vijoi Sturgeon.
Sipas kryeministres, referendumi do të mbahet mes fundit të 2018-ës dhe fillimit të 2019-ës. Në referendumin e vitit 2014, 55% e skocezëve votuan për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithsesi, ekonomia skoceze është e lidhur ngushtë me BE, çka mund të shkaktojë një përmbysje të rezultatit të 2014.
Ky njoftim i saji vjen në kohën kur qeveria britanike po bëhet gati të zgjedhë të kërkojë largimin nga BE, sipas artikullit 50 të traktatit të Lisbonës.
Nëse projektligji ‘për tërheqjen nga BE’ kalon në parlament, Britania do të ketë dy vjet kohë për të negociuar daljen me 27 qeveritë e tjera europiane. Negociatat pritet të jenë të vështira dhe nuk ka garanci nëse do të arrihet një ujdi brenda kësaj kohe.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.