Brexit te ekonomia e Britanisë, BCC: Pritet të ngadalësohet në nivelin e vitit 2009

Ekonomia britanike pritet të tregojë performancën më të dobët që prej recesionit të fundit në këtë vit edhe tjetrin, për shkak të ngadalësimit të investimeve nga bizneset dhe shpenzimeve konsumatore përpara Brexit, sipas projeksioneve të Dhomës Britanike të Tregtisë.
Kjo e fundit bëri të ditur se rritja ekonomike në vitin 2018 pritet të ngadalësohet në 1.2% dhe të rritet lehtë në 1.3% në vitin e ardhshëm, që do të ishin dy vitet me performancën më të dobët që prej vitit 2009.
Ndërkohë që Brexit nuk është faktori i vetëm që ndikon bizneset dhe tregtinë, pasiguria në lidhje me marrëdhënien e ardhshme mes Britanisë dhe Europës ka bërë që shumë firma të ndalojnë planet e tyre të investimeve.
Ekonomia britanike është ngadalësuar që prej referendumit të vitit 2016 dhe nuk ka garanci që bizneset dhe konsumatorët do të përfitojnë akses pa tarifa në mallrat europianë pas Brexit.
Sipas dhomës së tregtisë, rënia e paundit kundër dollarit dhe euros pritet të vazhdojë të ndikojë te inflacioni, duke ulur të ardhurat në dispozicion.
Sipas Institutit Mbretëror të Anketuesve të Miratuar (RICS), çmimet e shtëpive në Britani nuk do të kenë rritje në vitin e ardhshëm për të parën herë që prej 2012-ës, për shkak të Brexit dhe pamundësisë të disa blerësve për të përballuar rritjen e çmimeve. Instituti shtoi se shitja e shtëpive ka gjasa të bie me 5% në vitin e ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.