Brexit, te firmat britanike – Afron 29 Marsi. Bie besimi i liderëve të bizneseve
Besimi i bizneseve në Britani ka rënë në nivelin më të ulët në 18 muaj, ndërkohë që rreziku i daljes pa marrëveshje më 29 Mars është rritur, sipas “Institute of Directors”. Organizata, që përfaqëson drejtorët dhe liderët e bizneseve, bëri të ditur se indeksi kishte arritur në nivel pozitiv më herët gjatë vitit kur u ra dakord për periudhën e tranzicionit për Brexit, por pas muajit Prill ka rënë pa ndërprerje dhe preku nivelin më të ulët në Dhjetor.
Kryeministrja Theresa May përballet me kundërshti të madhe nga parlamenti britanik, përfshirë partinë e vet, për të arritur marrëveshjen e divorcit që ka rënë dakord me Bashkimin Europian. Kjo ka rritur rrezikun e një daljeje pa marrëveshje, diçka që do të dëmtojë ekonominë britanike. Organizata e liderëve të biznesit bëri të ditur se nuk ka dyshim që procesi i Brexit ka lënë ndikim negativ në perspektivën e firmave. Investimet e bizneseve kanë rënë për 3 tremujorë radhazi, sipas zyrës së Statistikave në Londër.
Organizata shtoi se ndërsa liderët ishin pesimist mbi ekonominë, besimi te vetë firmat qëndron relativisht optimist. Optimizmi për të gjithë ekonominë shënoi -38% në Dhjetor, por niveli për vetë kompanitë arriti në +30%, i pandryshuar nga viti i kaluar. Organizata deklaroi se 724 liderë të bizneseve kanë kontribuar në sondazh.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.