Brexit te institucionet financiare – Bankat në BE ulin ekspozimet ndaj aktiveve britanike

Bankat Europiane kanë ulur ekspozimin ndaj Britanisë pas Brexit, duke shkurtuar aktivet në Mbretërinë e Bashkuar me 425 miliardë dollarë në një periudhë 1-vjeçare. Rënia përbëhej kryesisht nga një ulje me 35% në ekspozimet ndaj produkteve derivate, duke treguar se bankat europiane po përgatiten për rrezikun se Britania mund të dështojë të arrijë një marrëveshje me bllokun përpara se të dalë.
Bankat në 27 vendet anëtare kishin 1.9 trilionë dollarë aktive në total të lidhura me Mbretërinë e Bashkuar në fund të muajit Qershor, shifër në rënie me 425 miliardë dollarë krahasuar me të njëjtën periudhë në 2016-ën, tregojnë të dhënat e Autoritetit Bankar Europian. Më shumë se 1/3-ta e bankave të anketuara nga EBA shqetësohen se Brexit mund të përmbysë produktet derivate apo kontrata të tjera financiare, duke sjellë në humbje të mundshme dhe rreziqe ligjore për bankat.
Autoriteti Bankar Europian, që koordinon standardet rregullatore përreth bllokut, deklaroi se institucionet duhet të përgatiten, pasi rregullat e BE mund të mos aplikohen më në Britani dhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mes dy palëve deri në 2019-ën.
“Është e rëndësishme që bankat, palët korresponduese si dhe konsumatorët e autoritetet publike, të konsiderojnë plane emergjencë për të adresuar këto probleme”, raporton EBA.
Rregullatorët nga të dyja anët kanë dhënë alarmin mbi rreziqet e mundshme që Brexit sjell në kontratat derivate. Banka e Anglisë ka thënë se duhet një zgjidhje gjithëpërfshirëse për të mbrojtur “vlefshmërinë në afat-gjatë”, të produkteve ekzistuese derivative. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, ka dhënë një paralajmërim të ngjashëm. Shumë institucione kanë lajmëruar planet për t’u zhvendosur në BE, duke bërë që Britania të rrezikojë thuajse 75,000 vende pune në banking.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.