Brexit vështirëson punësimin – Firmat ankohen për mungesën e punëtorëve nga Bashkimi Europian
Numri i personave të rekrutuar në mënyrë direkte në Britani është rritur me normën më të ngadaltë në 9 muaj gjatë Korrikut, duke reflektuar papunësinë në nivel rekord dhe mungesën e punëtorëve emigrantë nga Bashkimi Europian.
Një sondazh mujor i Konfederatës së Punësimit dhe Rekrutimeve (REC) tregoi se kërkesa për krahë pune nga punëdhënësit nuk është e ulët, ndërkohë që numri i vendeve vakante është rritur me normën më të shpejtë që prej Nëntorit 2017.
Norma e papunësisë në Britani ka rënë në nivelin më të ulët që prej vitit 1975, në 4.2% dhe shumë punëdhënës kanë raportuar një mungesë të emigrantëve nga BE të gatshëm për punë, që prej referendumit të vitit 2016.
Federata e Punësimit dhe Rekrutimeve deklaroi se kompanitë vazhdojnë të theksojnë çështjen e mungesës së kandidatëve europianë për vende pune në Britani. Të dhënat zyrtare treguan se numri i emigrantëve europianë në Britani ka rënë në nivelin më të ulët në 5 vite gjatë 2017-ës.
Punëdhënësit kanë përshpejtuar punësimin e punonjësve të përkohshëm dhe pagat e tyre janë rritur gjithashtu, sipas sondazhit. Banka e Anglisë deklaroi javën e kaluar se pret që rritja e pagave për fuqinë punëtore në tërësi të rritet në mënyrë graduale në 3 vitet e ardhshme, ndërkohë që ekonomia britanike operon në kapacitet të plotë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.