“Bright Side” – Shqipëria mes vendeve mahnitëse ku mund të bëni pushime ‘pa zbrazur portofolin’

Pas gazetës irlandeze “Irish Time”, kësaj here portali më i njohur “Bright Side” e ka përzgjedhur Shqipërinë si një nga 12 vendet më të mrekullueshme dhe që ofron pushime të lira.
E renditur mes vendeve të tilla si Rumani, Portugali, Bullgari, Peru, Poloni, Filipine e Nikaragua, “Bright Side” e cilëson vendin tonë si ideal për të bërë pushime “pa zbrazur portofolin.”
“Shqipëria është plot me vende magjike”, shkruhet në artikull, ku përmendet në veçanti edhe qyteti i Gjirokastrës, Syri i Kaltër, Liqeni i Shkodrës, Ksamili, Butrinti etj.
Duke i konsideruar çmimet e ushqimit dhe alkoolit në vendin tonë si më të lirat në Euopë, “Bright Side” paraqet në mënyrë të detajuar se sa u duhet të paguajnë pushuesit për të qëndruar në Shqipëri.
“Është e lehtë të gjesh dhoma komode në bujtinat nga 5 euro dhe nga 10 euro në hotele dhe në shtëpi private. Ushqimi në rrugë është gjithashtu shumë i shijshëm dhe kushton nga 1.8 euro. Çmimet e restorantit janë shumë të lira, zakonisht nga 3.5 euro.”
Artikulli ndalet më tej edhe te ushqimet tradicionale më të njohura shqiptare, ku përmend edhe çomlekun me mish e perime, gatime me produktet e detit, ëmbëlsirën oshaf dhe kafenë e shijshme, që mund ta marrin për vetëm 0.5 deri në një euro.
Sa i takon transportit, “Bright Side” shkruan:
“Gjithashtu mund të llogarisni shpenzimet e transportit: 0.9 euro për 50 kilometra nëse udhëtoni me tren dhe 0.9 euro për 30 kilometra nëse udhëtoni me autobus.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.