Britani, konservatorët humbin bastionet kryesore – Votuesit, të pakënaqur nga rritja e kostove të jetesës dhe nga skandalet e Johnson

Partia Konservatore e kryeministrit britanik, Boris Johnson, ka humbur kontrollin e bastioneve tradicionale në Londër dhe në rajone të tjera, gjatë zgjedhjeve lokale të zhvilluara në vend, pasi votuesit e ndëshkuan qeverinë për një sërë skandalesh. Partia e Johnson pësoi një humbje në Wandsworth, një bastion i konservatorëve me taksa të ulëta që nga viti 1978.
E njëjta tendencë ishte thuajse në shumë zona të kryeqytetit britanik, ku votuesit i përdorën zgjedhjet lokale për të shprehur zemërimin mbi krizën e kostove të jetesës. Analistët shprehen se qytetarët e penalizuan kryeministrin Johnson edhe për shkeljen e rregullave të Covid-19, të vendosura nga qeveria e tij, gjatë periudhës së karantinës. Për herë të parë, Partia Laburiste në opozitë fitoi këshillin e Westminster, një distrikt ku janë të vendosura shumica e institucioneve qeveritare.
Konservatorët humbën edhe kontrollin e Bashkisë së Barnet, e cila është kontrolluar nga kjo parti që nga viti 1964, me përjashtim të vetëm dy zgjedhjeve. “Është një rezultat faantastik, absolutisht fantastik. Më besoni, kjo është një pikë kthese e madhe për ne”, deklaroi lideri i Laburistëve, Keir Starmer, përpara mbështetësve të tij në Londër.
Rezultatet e para sugjerojnë se, ndërsa konservatorët kanë njohur një rënie në bastionet tradicionale, mbështetja ka qënë e lartë në zonat qëndrore dhe veriore të Anglisë, që mbështetët masivisht largimin e vendit nga Bashkimi Europian në referendumin e vitit 2016. Votimi është një test elektoral për Johnson, që kur ai u bë lideri i parë britanik që ka shkelur ligjin gjatë kohës që ishte në detyrë.
Johnson u gjobit muajin e kaluar, pasi kishte marrë pjesë në një ditëlindje në zyrën e tij në vitin 2020, duke thyer rregullat e distancës fizike, që ishte vendosur për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Humbja në Londër pritet të rrisë presionin ndaj Johnson, i cili ka luftuar për mbijetesën e tij politike për muaj me radhë dhe përballet me gjoba të tjera për pjesëmarrje në tubime gjatë kohës së pandemisë.
Blerta Lata / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.