Britania, Danimarka e Norvegjia prezantojnë masa të reja për të luftuar përhapjen e Omicron!

Rastet e COVID-19 po pushtojnë Europën edhe një herë sidomos pas shfaqjes së variantit të ri Omicron, i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Qeveria daneze njoftoi të mërkurën se nxënësit e shkollave deri në klasën e 10-të duhet të studiojnë në distancë për ditët e fundit para Krishtlindjeve dhe urdhëroi që klubet e natës, baret dhe restorantet të mbyllen në mesnatë në një përpjekje për të luftuar rritjen e rasteve me COVID-19. Kryeministrja Mette Frederiksen rekomandoi gjithashtu të mërkurën që njerëzit të punojnë nga shtëpia, ndaloi koncertet me më shumë se 50 njerëz dhe urdhëroi njerëzit të mbanin maska për fytyrën në restorante kur nuk ulen. Masat zbatohen që nga e premtja dhe janë caktuar të zgjasin për katër javë. Mësimi virtual fillon të mërkurën, më 15 dhjetor. Në Danimarkë, shkollat fillojnë pushimin e Krishtlindjeve nga 20 dhjetori.
Nga e enjtja, është vendosur një kufi prej 10 personash për tubime në shtëpi private i cili hyn në fuqi për të kundërshtuar një rritje të rasteve me COVID-19 në Norvegji. Kjo është pjesë e masave të reja të shpallura në fillim të javës nga qeveria, të cilat përfshijnë edhe rifutjen e distancimit social në restorante. Pjesëmarrja në ngjarje publike pa vende të caktuara është kufizuar në 50, ndërsa njerëzve u kërkohet të punojnë nga shtëpia. Masat e reja janë caktuar të zgjasin katër javë, megjithëse numri i njerëzve të lejuar në tubime në shtëpi private do të rritet në 20 në natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Kryeministri Boris Johnson njoftoi të mërkurën se Anglia do të “kalojë në planin B” dhe do të rifusë udhëzimet për të punuar nga shtëpia nga e hëna, si dhe një kërkesë për të veshur maska për fytyrën, përfshirë ambientet e mbyllura. Një leje për COVID-19 që vërteton se mbajtësi i ka pasur të dyja dozat e vaksinës do të jetë gjithashtu e detyrueshme për të hyrë në klubet e natës dhe vendet me turma të mëdha.
Njoftimet vijnë mes frikës për variantin e ri të COVID-19 Omicron, koha e dyfishimit të të cilit në MB vlerësohet “midis dy dhe tre ditëve”, tha Johnson gjatë një konference për shtyp, duke paralajmëruar se numri i rasteve të omicron “është i sigurt se do të jetë shumë më i lartë se 568 të zbuluar deri të mërkurën.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.