Britania do “blejë” Brexit? – 12 mld paund ndihmë e huaj në Europë, jo në Afrikë

Britania e Madhe shpenzon çdo vit rreth 12 miliardë paund për ndihmën e huaj.
Këto para kanalizohen kryesisht në Afrikë dhe Azi. Por, gjatë kohëve të fundit, disa ministra të kabinetit qeveritar, kanë dalë me një ide të re: atë të kanalizimit të kësaj ndihme te vendet e Europës lindore, me shpresën për t`i bërë aleate në procesin e Brexit, në mënyrë që të përfitojnë një marrëveshje të favorshme.
Sipas disa mediave britanike, këto para do të devijoheshin nga projekte të dyshimta në vendet në zhvillim të Afrikës dhe Azisë për në vendet e Europës Lindore, si: Poloni, Hungari, dhe vendet balltike. Të gjitha këto vende njihen për aleancën e tyre me Mbretërinë e Bashkuar.
Ideja e ministrave britanikë është ajo se, duke i dhënë para në formë ndihme, këto vende do të dalin krah Mbretërisë kur të rinegociohen marrëveshjet e reja, kryesisht ato të tregtisë së lirë.
Kjo vjen në një kohë kur zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian kërkojnë një marrëveshje ndëshkuese me Mbretërinë pas daljes, në mënyrë që të shkurajohen vendet e tjera të unionit që do të duan të ndjekin shembullin britanik.
Gjithsesi, plani i ministrave britanikë i lojës së pisët, duket se është i paligjshëm. Kjo pasi, nën rregullat e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, janë vetëm dy, vendet që kualifikohen për ndihmë të huaj në Europë, dhe asnjëra prej tyre nuk është pjesë e Bashkimit Europian.
Këto dy vende janë: Ukraina dhe Shqipëria.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.