Britania do paguajë “gjobën” – Mediat britanike: 50 mld sterlina Brukselit në tre vite

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka rënë dakord që të paguajë të paktën 50 miliardë Sterlina si detyrim ndaj Bashkimit Europian. Kjo pagesë shihet si guri i themelit i negociatave që do të pasojnë, e që bazohen kryesisht mbi ato tregtare dhe të të drejtave të qytetarëve.
Të paktën këtë gjë pretendojnë mediat britanike, që theksojnë gjithashtu se, deri në konferencën e Partisë Konservatore që do të mbahet në muajin Tetor nuk do të ketë asgjë zyrtare. Pak ditë më parë, ishte vetë presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ai që deklaroi se, Britania duhet të zgjidhe më parë problemin financiar, e pastaj të pretendojë që të negociojë çështjet e tjera.
Pagesa që pretendojnë mediat britanike, përkthehet në 17 miliardë paund për tre vite, e që do të fillojnë të paguhen pas daljes nga unioni e deri pak përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend, që parashikohen në vitin 2022.
Pjesa dërrmuese e analistëve vlerësojnë se, pretendimet e Bashkimit Europian fiksohen në rreth 100 miliardë euro, pavarësisht se nuk ka ende asnjë shifër zyrtare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.