“Britania duhet ta ndajë mendjen!” BE, thirrje Londrës për të arritur një marrëveshje në 10 javët e mbetura
Bashkimi Europian i kërkoi britanisë që të ndajë mendjen në lidhje me Brexit, duke i’a lënë barrën Londrës që të zhbllokojë bisedimet tregtare, ndërkohë që negociatori kryesor europian tha se mund të arrihet ende një marrëveshje, me vetëm 10 javë të mbetura. Të dyja palët u përpoqën të arrijnë një kompromis këtë javë për të shmangur një finale negative të dramës 5-vjeçare të Brexit, që do shkaktonte goditje ekonomike shtuar krizës së koronavirusit. “Koha është e shkurtër dhe duhet të jemi gati për të negociuar 24 orë në ditë, për të gjitha subjektet dhe dokumentet ligjore. Britania duhet të marrë një vendim dhe është zgjedhja e tyre e lirë dhe sovrane”, – tha presidenti i këshillit europian, Charles Michel.
Ai shtoi se përgjigja e britanisë do të përcaktojë nivelin e aksesit tek tregu i brendshëm europian prej 450 milionë konsumatorë. Negociatori për brexit, Michel Barnier, tha në parlament se marrëveshja është ende e arritshme. “Koha është esenca. Së bashku me homologët britanikë, duhet të gjejmë zgjidhje ndaj fushave më të vështira”, – tha Barnier. Londra zyrtare ka refuzuar këtë javë të vazhdojë negociata të plota, duke thënë se BE duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin.
Europa e sheh këtë si një bllof nga kryeministri Boris Johnson. Charles Michel theksoi se 27 vendet e BE janë të gatshme për një ndarje të ashpër pa marrëveshje. Ai listoi 3 pikat kryesore që pengojnë marrëveshjen, të cilat janë; garantimi i të drejtave të peshkimit, konkurrenca e drejtë ekonomike dhe konfliktet në lidhje me tregtinë e ardhshme.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.