Britania duhet të vendosë! – Tusk: Brexit, gabim i madh, i takon britanikëve të zgjedhin skenarin
Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, ka ri sjellë opinionin se Britania mund të mos dalë nga Bashkim Europian, ndërkohë që Thersa May përballet me ndarje brenda qeverisë së saj.
Në një fjalim 16 muaj pasi britanikët vendosën për të dalë nga Bashkimi Europian, Tusk tha se rezultati i negociatave mbi Brexit është plotësisht në dorën e Qeverisë Britanike. Ai bëri të ditur se skenarët përfshijnë mos-daljen nga blloku, që është planifikuar për muajin Mars 2019.
“I takon Londrës që të zgjedhë se si do të jetë rezultati; me një marrëveshje të mirë, pa marrëveshje apo pa Brexit. Megjithatë, në secilin nga këta skenarë ne do të mbrojnë interesat e përbashkët”, tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Komentet zbulojnë një konsensus te zyrtarët e Bashkimit Europian, se Brexit është një gabim gjigant për Mbretërinë e Bashkuar, një shqetësim për kontinentin dhe një vendim që britanikët mund ta tërheqin. Kjo reflekton gjithashtu një pikëpamje të vazhdueshme në Europë, se një fraksion anti-BE në partinë Konservatore të Theresa May, e drejtuar nga sekretari i jashtëm Boris Johsnon, po mban të gjithë vendin peng. Bisedimet për ndarjen mes Britanisë dhe 27 partnerët e Bashkimit Europian kanë patur progres shumë më të ngadaltë se sa pritej, duke kufizuar arritjen e marrëveshjeve të ardhshme tregtare.
Kreu i Komisionit, Jean-Claude Juncker, u shpreh më herët gjatë javës se referendumi i Qershorit 2016, ku 52% e britanikëve votuan për të dalë nga blloku, ishte një “tragjedi”. Juncker shtoi se ekipi i tij i negociatorëve po përpiqet të sigurojë që Britania të mos dalë nga blloku pa asnjë marrëveshje.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.