Britania i bashkohet Francës – Ndalon shitjet e makinave me naftë dhe benzinë, prej 2040

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur që të bllokojë shitjet e të gjitha makinave që funksionojnë me naftë apo benzinë, duke iu bashkuar kështu serisë së vendeve europiane që vënë bast te e ardhmja, e që janë pikërisht makinat elektrike.
Gjithsesi, ky vendim është afat-gjatë, dhe do të hyjë në fuqi duke filluar prej vitit të largët 2040. Vendimi vjen vetëm dy javë pasi Franca bëri të njëjtën gjë, pra ndalimin e shitjes së motorëve me djegie duke filluar prej 2040.
Gjermania është gjithashtu duke e vlerësuar një opsion të tillë, por për një datë më të hershme. Gjithsesi, duke pasur parasysh rastin gjerman, dhe rëndësinë e industrisë së makinave në ekonominë e vendit, gjasat që kjo të ndodhë përpara Francës dhe Britanisë janë thuajse zero. Vendimi i shumë shteteve europiane është gjithashtu në linjë me strategjitë e reja të shtëpive prodhuese.
Deri më tani, prodhues si “Volvo” kanë vendosur që të mos prodhojnë më makina me motor me djegie, duke filluar prej 2020. Pas këtij viti, të gjitha modelet e “Volvos” do të jenë 100% elektrike.
Thuajse të gjitha shtëpitë e tjera prodhuese janë duke punuar për të nxjerrë në qarkullim linjën e tyre të makinave elektrike. Mbretëria e Bashkuar planifikon të investojë 1 miliardë dollarë në teknologjinë e makinave pa shofer dhe ato elektrike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.