Britania në “ngërç”- Bie prodhimi industrial, deficiti tregtar zgjerohet sipër projeksioneve
Prodhimi industrial në Britani u tkurr për të tretin muaj radhazi në Mars, duke treguar vështirësitë e ekonomisë prej daljes nga Bashkimi Europian. Zyra Kombëtare e Statistikave raportoi gjithashtu të dhënat mbi deficitin tregtar, që u zgjerua më shumë nga sa pritej, duke larguar shpresat se një reduktim në vlerë e paundit do të ribalanconte ekonominë.
Prodhimi Industrial ra me 0.5% në Mars nga muaji Shkurt, një rënie më e madhe se projeksionet e analistëve. Një tregues tjetër mbi manifakturën, tregoi se prodhimi i këtij sektori ra me 0.6%.
Ekonomia e Britanisë është ngadalësuar këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar ku të dhënat injoruan referendumin e Qershorit. Ngadalësimi dhe paqartësia mbi të marrëdhënien e Britanisë me bllokun kanë rritur pritshmëritë se Banka e Anglisë do të mbajë normën e interesit në nivel rekord të ulët edhe për 2 vite të tjera. Konsumatorët, që janë nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike, kanë frenuar shpenzimet e tyre ndërkohë që inflacioni është rritur shpejtë.
Zyra e Statistikave deklaroi se të dhënat nuk do të ndryshojnë vlerësimin fillestar të ekonomisë prej 0.3% në tremujorin e parë. Të dhëna të tjera nga Zyra e Statistikave treguan se deficiti tregtar në mallra i Britanisë me pjesën tjetër të botës u zgjerua në 13.44 miliardë paund, sipër projeksioneve. Kjo e çoi deficitin total tregtar, përfshirë shërbimet që rezultojnë në suficit, në 10.5 miliardë paund për tremujorin e parë.
Zyra e Statistikave raportoi se rritja e deficitit është nxitur nga importet e makinerive e automjeteve si dhe nga rritja e importit të naftës. Paundi ra lehtë pas të dhënave, nga 1.2950 kundër dollarit amerikan në 1.2906.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.