Britania: Nuk do i paguajmë $62 mld Brukselit

Mediat britanike kanë raportuar gjatë ditëve të fundit se, Mbretëria do të duhet t`i paguajë Brukselit 50 deri në 60 miliardë paund, në mënyrë që të respektojë angazhimet buxhetore, në një kohë që negocion procedurat e divorcit me unionin.
Por, ministri britanik i “Brexit”, David Davis, deklaroi se, kjo nuk ka për të ndodhur. Madje ai shtoi se, epokës së pagesave të majme ndaj Brukselit po i vjen fundi.
“Nuk kemi pasur asnjë kërkesë të tillë nga Komisioni Europian. Por qëndrimi ynë është mjaft i qartë; ne respektojmë detyrimet, pasi jemi një vend që e respekton ligjin”-deklaroi Davis.
“Do t`i respektojmë angazhimet tona, por nuk presim aspak të paguajmë këto para. Po i vjen fundi epokës së detyrimeve ndaj Bashkimit Europian, dhe me të dalë nga unioni, përfundon çdo detyrim“-shtoi ai.
Ditën e Mërkurë, më 29 Mars, Britania aktivizoi nenin 50 të Traktatit të Lisbonës duke i kërkuar zyrtarisht Brukselit të nisë procedurat e Brexit. Këto procedura pritet të përfundojnë jo më herët se Marsi i vitit 2019.
Kosto për Londrën ndërkohë pritet të jetë e majme, pasi edhe pse mund të mos paguajë detyrime cash, me daljen nga tregu i përbashkët do të pësojë humbje të mëdha monetare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.