Britania po vaksinon me shpejtësi rekord, Zahawi: “140 njerëz në minutë mesatarisht. Disa zona, më shumë!”
Mbretëria e Bashkuar po vaksinon mesatarisht 140 njerëz në minutë kundër Covid-19, sipas Ministrit të Zhvillimit të Vaksinës, Nadhim Zahawi. Mbretëria e bashkuar, që ka numrin e pestë më të madh në botë të vdekjeve nga Covid-19, po garon për t’u bërë vendi i parë i zhvilluar që vaksinon të gjithë popullsinë, që shihet si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë. Sipas të dhënave të fundit kombëtare, Mbretëria e Bashkuar ka vaksinuar 3,857,266 njerëz me dozën e parë dhe 449,736 me dozën e dytë.
“Gjithçka po shkon mirë, ne po vaksinojmë mesatarisht 140 njerëz në minutë dhe kjo është mesatare, ç’ka nënkupton se disa zona po ecin më shpejtë”- tha ministri i vaksinës. Ai shtoi se kjo shifër do përmirësohet, ndërkohë që hapen 17 qendra të vaksinimit këtë javë dhe 50 deri në fund të muajit. “Në disa zona ka mbaruar popullsia sipër 80 vjeç dhe poi shkon njoftimi atyre sipër 70”- tha ministri. Punonjës të rëndësishëm si mësuesit, policia dhe shitësit mund të marrin vaksinën në fazën e dytë, pasi të gjithë mbi 50 vjeç të kenë marrë injeksionin. Ministri, Nadhim Zahawi, tha se do bisedojë me Komisionin e Vaksinimit për të caktuar se kush do të jetë në radhë për vaksinimin.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.