Britania pranë karantinës së dytë, Hancock: Shtrimet në spitale nga Covid-19 dyfishohen çdo 8 ditë
Ministri i shëndetësisë në Britani, Matt Hancock, tha se infeksionet e koronavirusit po përshpejtohen në të gjithë vendin dhe shtrimet në spitale po dyfishohen çdo 8 ditë. Megjithatë, ai refuzoi të thotë nëse do të ketë një tjetër karantinë kombëtare muajin e ardhshëm. Mbretëria e Bashkuar ka raportuar numrin e pestë më të madh të vdekjeve nga Covid-19 në botë pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit, Indisë dhe Meksikës, sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins. Sekretari i Shëndetësisë tha se karantina e dytë kombëtare në muajin Tetor do të jetë guri i fundit që do përdoret, por shtoi se Qeveria do të bëjë të pamundurën për të kontrolluar virusin.
“Kemi parë që numri i njerëzve të shtruar në spital me koronavirus është dyfishuar çdo 8 ditë. Për rrjedhojë, duhet të veprojmë. Karantina kombëtare është masa e fundit e mbrojtjes. Ne po monitorojmë me vigjilencë dhe nëse shohim që numri përshpejtohet, do jemi të përgatitur të bëjmë të pamundurën për të mbrojtur jetët e njerëzve.”
Kryeministri Boris Johnson është kritikuar nga politikanët e opozitës për kundërpërgjigjen fillestare ndaj koronavirusit dhe qeveria ka hasur vështirësi të sigurojë teste të mjaftueshme në javët e fundit. Rastet me Covid-19 kanë nisur rritjen përsëri në Shtator, me 3,000 – 4,000 teste pozitive të regjistruara çdo ditë javën e kaluar. Në 24 orët e fundit, Britania regjistroi 21 vdekje nga sëmundja, duke e çuar totalin sipas metodës matëse të qeverisë, në 41,705.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.