Britania rifiton vrull – Ekonomia lë pas ngadalësimin e fillimit të vitit, merr nxitje nga shërbimet

Ekonomia e Britanisë ka rifituar vrull në Maj, pas një ngadalësimi në nisje të vitit 2018, duke marrë nxitje nga sektori i shërbimeve ndërkohë që manifaktura është ngadalësuar. Një tregues i ri mujor i Produktit të Brendshëm Bruto, që do të monitorohet nga Banka e Anglisë, tregoi se ekonomia është rritur me 0.3% në Maj. Norma ishte në rritje nga 0.2% që u regjistrua në Prill dhe në linjë me projeksionet e analistëve. “Sektori i shërbimeve ka patur rritje të fortë në Maj, ndërkohë që shitësit me pakicë kanë marrë nxitje nga moti i ngrohtë dhe dasma mbretërore”, deklaroi zyra e Statistikave në Londër.
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, së bashku me Komisionin e Politikave Monetare, vendosën të mos rrisin normën e interesit në Maj, për shkak të ngadalësimit ekonomik në fillim të vitit 2018. Ata vendosën të presin për shenja se kjo dobësi ishte e përkohëshme prej motit të pazakontë e jo prej problemeve të tjera më të gjera si dalja nga Bashkimi Europian. Me bazë vjetore, ekonomia u rrit me 1.5% në Maj, sipas zyrës së Statistikave.
Komisioni i politikave monetare te Banka e Anglisë pritet të rrisë normën bazë të interesit në 0.75% në datën 2 Gusht, që do të sjellë ndërhyrjen e dytë në më shumë se 1 dekadë. Të dhënat treguan se sektori i shërbimeve, që përbën 80% të ekonomisë, pati rritje me 0.3% në Maj nga muaji i kaluar. Prodhimi industrial dhe manifaktura rezultuan zhgënjyese.
Prodhimi ra papritmas në Maj me 0.4%, prej mbylljes së një terminali të gazit dhe naftës. Manifaktura pati rritje me vetëm 0.4%, sa gjysma e normës që prisnin analistët. Ndërtimi, që ka pasur rënie prej motit të keq në fillim të vitit, pati rritje me 2.9% në Maj. Të dhënat të tjera nga zyra e statistikave treguan se deficiti tregtar në mallra mbeti i pandryshuar në 12.36 mld paund.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.