Britania rritet me vetëm 0.2% – Rritja ekonomike më e ngadaltë në 6 vite. Brexit godet investimet
Ekonomia e Britanisë u ngadalësua në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke e çuar rritjen ekonomike për të gjithë 2018-ën në nivelin më të ulët në 6 vite, ndërkohë që shqetësimet për Brexit kanë goditur investimet.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 0.2% në tremujorin e katërt nga 0.6% rritje që u regjistrua në të tretin.
“PBB u ngadalësua në tremujorin e fundit, prej rënieve të mëdha në prodhimin e makinave dhe produkteve të çelikut si dhe ngadalësimit të aktivitetit në ndërtim”, deklaroi zyra e Statistikave ONS.
Për të gjithë 2018-ën, rritja ekonomike u ngadalësua në nivelin më të ulët që prej vitit 2012, në 1.4%. Eksportet pësuan goditje prej ngadalësimit botëror të tregtisë, ndërsa konsumatorët dhe bizneset janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për mungesën e një plani për Brexit.
Në muajt e fundit të 2018-ës, ngadalësimi i aktivitetit në të gjithë botën ndikoi të gjithë ekonomitë e mëdha, pjesërisht prej tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas të dhënave zyrtare, tregtia neto i hoqi 0.1% rritjes ekonomike në tremujorin e katërt, ndërsa investimet e bizneseve dhanë të njëjtin efekt negativ.
Vetëm për muajin Dhjetor, ekonomia u tkurr me 0.4%, që është niveli më i ulët që prej Marsit 2016.
Kryeministrja Theresa May ka dështuar të fitojë mbështetje në parlament për planin e Brexit që ra dakord me Brukselin, ndërkohë që vetëm 7 javë kanë mbetur nga dalja ligjore e Britanisë.
Investimet e bizneseve ranë me 3.7% në tremujorin e katërt, që është rënia më e madhe që prej fillimit të 2010-ës. Treguesi i fundit ka ngecur që prej referendumit të 2016-ës, gjë të cilën Banka e Anglisë e fajëson për stanjacionin në produktivitet.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.