Britania vuan nga mungesa e emigracionit – Paradoksi, forcon rregullat për të shtuar numrat
Vota për të dalë nga Bashkimi Europian dhe pasiguritë që lidhen ende me marrëveshjen që duhet arritur mes dy palëve, kanë sjellë pasoja më të dukshme për emigrantët europianë që jetojnë e punojnë në Britani.
Qytete si Peterborough, të cilat kishin popullsitë me rritjen më të shpejtë, tashmë po i tremben largimit të emigrantëve në vendet e tyre. Ardhjet e reja nga Polonia, e cila ka komunitetin më të madh të të huajve në Britani, janë pakësuar ndjeshëm duke shkuar pranë zeros.
Teksa brezat e rinj të polakëve po lulëzojnë në Britani, shteti i origjinës ka ndërmarrë një politikë për riatdhesimin e diasporës, duke prezantuar shkolla të së shtunave për mësimin e gjuhës.
Edhe kompanitë polake dhe firmat ndërkombëtare me prezencë në Poloni po bëjnë përpjekje për të tërhequr studentë që studiuojnë në Britani, apo punëtorë të specializuar.
Por pavarësisht politikës së Polonisë, vetë punët në Britani janë bërë gjithmonë e më pak tërheqëse. Që nga 2015-ta, paundi britanik ka rënë 20% në raport me zlotyn polake, duke ulur vlerën e remitancave të emigrantëve.
Edhe hendeku i standardit të jetesës mes dy vendeve është ngushtuar. Që nga viti 2004, PBB për frymë në Poloni është dyfishuar, ndërsa në Britani mezi është ngritur pak.
Por paradoksalisht, për t’i dhënë zgjidhje krizës së emigrantëve në pakësim, Home Office ka bërë një propozim për forcimin e regjimit të emigracionit pas Brexit. Shteti ishullor mund të shtojë lejet e punës për punëtorët e specializuar europianë, duke limituar periudhën e qëndrimit për punëtorët e paspecializuar.
Specialistët argumentojnë se në vend të shkojnë e të vijnë për një leje pune, emigrantët mund të preferojnë të marrin shtetësinë, pavarësisht çmimit prej 5 mijë paund për familje.
Por rregullat më strikte të emigrimit mund të rrisin edhe punën e paligjshme. Disa industri ku punojnë më së shumti europiano lindorët, si ndërtimi, janë disi informale, duke krijuar mundësinë për të punuar në të zezë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.