Brukseli: Jo “martesës” – “Shkrirja mes Londrës dhe Frankfurtit krijon monopol”

Brukseli ka vendosur të mos lejojë shkrirjen mes Deutsche Boerse dhe London Stock Exchange, me motivacionin: “Operacioni do të çonte në krijimin e një monopoli në tregjet financiare”.
Margareth Vestager, komisionere e konkurrencës deklaroi se shkrirja mes dy operatorëve, atë të bursës së Londrës dhe të bursës së Frankfurtit, që janë edhe dy më të mëdhenjtë në kontinent, do të ulte ndjeshëm konkurrencën për shkak të krijimit të një monopoli, në një sektor mjaft delikat.
“Palët nuk propozuan masa shtesë, të nevojshme për të eliminuar dyshimet tona”, shtoi ajo. Marrëveshja mes dy operatorëve, e njoftuar vitin e kaluar, kapte një vlerë totale prej 14 miliardë dollarësh, dhe do të krijonte operatorin më të madh në treg, dhe një monopol de facto.
Gjithsesi, refuzimi i Brukselit ishte njoftuar që më parë. Muajin e kaluar Bursa e Londrës deklaronte se, Brukseli kishte vendosur ta bllokonte operacionin.
“Duke vlerësuar pozitën aktuale të Komisionit Europian, LSE, pra London Stock Exchange, mendon se Komisioni ka shumë pak gjasa të japë dritën jeshile”, shkruante më 27 shkurt operatori.
London Stock Exchange dhe Deutsche Boerse synonin të krijonin në treg një operator në gjendje të konkurrojë rivalët amerikanë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.