Brukseli, kundër opozitës – “Djegia e mandateve kundërproduktive. Duhet dialog qeveri-opozitë”
Kriza politike që duket se ka përfshirë vendin tonë do të jetë e dëmshme për rrugëtimin europian, thotë zëdhënësja e Bashkimit Europian për politikën e jashtme/sigurinë, fqinjësinë e mirë dhe integrimin europian, Maja Kocijancic në një prononcim për Scan.
“Thirrjet nga disa parti të opozitës për të bojkotuar parlamentin dhe të deputetëve për të dorëzuar mandatin e tyre janë kundërproduktive si dhe shkojnë kundër përpjekjeve europiane reformuese të vendit”-thotë Maja Kocijancic në reagimin e saj. “Parlamenti është baza e demokracisë europiane, është vendi ku debatet mbi reformat kanë rëndësi dhe ku zhvillimet e rëndësishme duhen diskutuar dhe çuar përpara, jo bojkotuar”-thotë më tej zëdhënësja europiane. Në fund ajo bën apel për dialog.
“Ne presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në një diskutim konstruktiv me qëllimin për të tejkaluar situatën politike aktuale”-thuhet më tej. Sa i përket protestës, Bashkimi Europian, pavarësisht se mbron të drejtën e qytetarëve për të protestuar në një vend demokratik, sqaron se aktet e dhunshme si dhe dëmtimi i pronës publike, siç ndodhi në protestën e së shtunës, janë të papranueshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.