Brukseli raporton zhvillimet – Forcimi i lekut në fokus të Komisionit Europian
Komisioni Europian e ka ulur dozën e kritikave ndaj Shqipërisë dhe të gjitha vendeve kandidate në tërësi. Madje, diçka e tillë duket më shumë si harresë ndaj vendeve kandidate.
Gjithsesi, në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Brukseli arrin të gjejë hapësira edhe për doza pesimizmi. Veç qortimit për ngadalësimin e reformave, rrjedhojë e zgjedhjeve, Komisioni Europian, në raportin e fundit për vendet kandidate flet edhe për një ecuri jo të kënaqshme të inflacionit.
Sipas Brukselit, diçka e tillë vjen si pasojë e forcimit të lekut, por edhe e eliminimit të efektit që kushtet e motit patën në fillim të vitit ndaj çmimeve të ushqimeve. Madje, Komisioni Europian shton se, vrulli i ekonomisë nuk po jep asnjë sinjal se do të ushtrojë presion mbi çmimet e konsumit.
Raporti i kushton një vëmendje të veçantë edhe forcimit të lekut vendas ndaj shportës së valutave kryesore. Sa i përket sektorit financiar ndërkohë, veç vlerësimit për sektorin bankar, një vëmendje të veçantë merr edhe kursi i ri i politikës së Bankës së Shqipërisë, për të nxitur përdorimin e lekut, sidomos në huamarrje.
Kjo gjë, thotë Komisioni Europian, së bashku me forcimin e lekut është reflektuar edhe në nivelin e kreditimit në valutë të huaj. Edhe sa i përket sektorit financiar. Në raport flitet me tone mjaft pozitive, dhe theksi vihet te niveli i kënaqshëm i mbledhjes së të ardhurave nga qeveria.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.